Salla e Pallatit te Rinisë do të jetë e gatshme për lojë sipas kritereve të FIBA-s
Prishtinë, 21 nëntor - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë për të inspektuar investimet që po bën MKRS-ja në sallën e vogël.
Investimet e reja për shtimin e numrit të ulëseve bëhen përmes një kontrate e cila ka vlerën e rreth 170 mijë eurove.
Ministri Gashi pa nga afër punimet që po bëhen në këtë palestër e cila po furnizohet me ulëse të reja teleskopike dhe po rregullohen ulëset ekzistuese për të plotësuar standardet që ka kërkuar FIBA me shtimin e 2818 ulëseve në sallë.
Ministri e vlerësoi cilësinë dhe dinamikën e punës që po bëhet në këtë objekt sportiv dhe u zotua se salla do të jetë e gatshme për ndeshjet e Përfaqësueses A të Kosovës në basketboll në mënyrë të Kosova të zhvillojë kualifikimet për “Kina 2019” brenda vendit.
“Vizitova sot Pallatin e Rinisë dhe Sportit për të shprehur mbështetjen e Ministrisë dhe Qeverisë se infrastruktura sportive në vendin tonë do të përmirësohet e plotësohet ashtu që sportistët tonë të kenë hapësirat e mjaftueshme dhe të standardeve evropiane e botërore për të kryer aktivitetet e tyre sportive”, tha ministri.
“Ministria bashkë me palët e përfshira jemi angazhuar dhe kemi punuar me përkushtim maksimal që salla e vogël e Pallatit të Rinisë dhe Sportit të jetë e gatshme për ndeshjet e Përfaqësueses A të Kosovës në basketboll. Punimet janë zhvilluar sipas afatit së planifikuar me një dinamikë të shtuar."
"Mbetet të them që salla do të jetë e gatshme për lojë sipas kritereve të parapara nga FIBA-s dhe sportistët dhe sportdashësit në Kosovë do të kenë mundësi të shohin lojërat e Përfaqësueses dhe klubeve tona në hapësira moderne”, u shpreh ministri Gashi.
Ndeshja e parë në sallën me ulëset e shtuara do të zhvillohet me ballafaqimin e Kosovës në basketboll kundër Lituanisë më 24 tetor në ora 19:00 në kuadër të grupit C në kualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.