Rusia planifikon të shpenzojë 20 miliardë dollarë për Botëror
Moskë, 1 tetor - Rusia planifikon të shpenzojë gati 20 miliardë dollarë në organizimin e Botërorit 2018 të futbollit, ka thënë të dielën ministri i Sportit i Rusisë, Vitaly Mutko.
Turneu njëmujor do të mbahet në 11 qytete të shtetit më të madh në botë, nga qyteti i portit Baltik, Kaliningrad e deri te Yekaterinburgu, që gjendet në rrëzë të malit Ural në afërsi të kufirit Evropë-Azi. FIFA kishte propozuar të shtunën që dy qytete të largoheshin nga lista finale.
Mutko ka thënë se projekti do të kushtojë 19.23 miliardë dollarë, që është gati dyfish më tepër se shuma paraprake që ishte paraqitur nga kryeministri i atëhershëm i Rusisë, Vladimir Putin, kur Rusisë iu besua organizimi i turneut në dhjetor të vitit 2010.
Nuk janë shifra finale. Mund të thuhen vetëm se janë shifra të përafërta, ka thënë Mutko.
I pyetur se kur do të jenë stadiumet të gatshme, Mutko është përgjigjur: Ne kemi pesë arena (në Moskë, St. Petersburg, Kazan, Sochi e Saransk) që janë duke u ndërtuar. Besoj se javën e ardhshme do të nisim të dizajnojmë katër të tjera.
Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ka përgëzuar Rusinë për përgatitjet që po bën.
Ne jemi një vit më herët me ndërtime se që kishim planifikuar. Kjo qasje është ajo që duhet ndjekur nga gjithë organizatorët, ka thënë Blatter.
Mutko, prapë ka thënë se ka ende mjaft punë për të bërë. Sot, asnjë qytet nuk është i gatshëm. Madje as Moska, ka thënë Mutko.
Moska do të ketë dy arena të futbollit stadiumin me 90 mijë ulëse Luzhniki, ku do të zhvillohet ndeshja finale dhe një stadium me kapacitet prej 45 mijë ulëseve që po ndërtohet nga Spartaku i Moskës.