22 Dhjetor 2024

Rusia përjashtohet nga lojërat ndërkombëtare për katër vjet

Paris, 9 dhjetor - Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA), tha se Rusisë i është ndaluar pjesëmarrja në Lojërat Olimpike dhe kampionatet botërore në një gamë sportesh për katër vjet, si ndëshkim për manipulimin e të dhënave laboratorike.

Komiteti Ekzekutiv i WADA-s e mori këtë vendim pasi që konkludoi se Moska kishte ndryshuar të dhënat laboratorike duke mbjellë prova të rreme dhe duke fshirë skedarët e lidhur me provat pozitive të dopingut, që mund të ndihmonin në identifikimin e mashtrimeve.

Një zëdhënës i agjencisë tha se vendimi i komitetit ishte i njëzëshëm.

Rusia, e cila është përpjekur të tregojë veten si një fuqi botërore sportive, është përfshirë në skandale dopingu që kur një raport i vitit 2015 i porositur nga WADA, gjeti prova të dopingut masiv tek sportistët rusë.

Problemet e saj me dopingun janë shtuar, që kur shumë nga atletët e saj u përjashtuan nga Olimpiadat e kaluara dhe vendi u shfaq pa flamur ne Lojërat Olimpike Dimërore në Pyeongchang vitin e kaluar, si ndëshkim për fshehjen e skandaleve nga shteti në Lojërat Olimpike të Sochit në vitin 2014.

Sanksionet e së hënës ishin rekomanduar nga një komiteti i vlerësimit i WADA-s në përgjigje të të dhënave laboratorike të manipuluara të ofruara nga Moska në fillim të këtij viti.

Një nga kushtet për rikthimin e anëtarësisë së agjencisë ruse anti-doping RUSADA, e cila u pezullua në 2015, por u rikthye vitin e kaluar, kishte qenë që Moska të sigurojë një kopje autentike të të dhënave laboratorike. Sanksionet i heqin në mënyrë të menjëhershme akreditimin kësaj agjencie.

Ministri rus i Sportit, Pavel Kolobkov, muajin e kaluar fajësoi çështjet teknike për mospërputhjet në të dhënat laboratorike.

Vendimi, megjithatë, lë dyert e hapura për sportistët “e pastër” rusë që të konkurrojnë në ngjarje të mëdha sportive ndërkombëtare pa flamurin apo himnin e tyre për katër vjet, siç kishte ndodhur gjatë Lojërave Olimpike në Pyeongchang në vitin 2018.

Zyrtarët rusë pretendojnë se akuzat dhe dënimet janë pjesë e një konspiracioni të perëndimit për të dëmtuar vendin e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)