Ronaldo shpallet fitues i Topit të Artë
Paris, 12 dhjetor - Topi i Artë 2016 shkoi ashtu siç pritej për Cristiano Ronaldon, futbollisti më i mirë në planet sipas France Football.
Lojtari që i dha jetë suksesit të Realit të Madridit në Champions dhe inspiroi Portugalinë në suksesin historik në Euro 2016 përvetësoi trofeun e katërt të këtij lloji në karrierë, duke reduktuar distancën me Lionel Mesin që është në kuotën 5 të tillëve.
Që prej vitit 2008 vetëm Ronaldo dhe argjentinasi e kanë fituar çmimin prestigjioz individual dhe vetëm në një rast në 2010, nuk dolën të dy në shkallët më të larta të podiumit.
Zyrtarizimi i trofeut për portugezin erdhi në një numërim mbrapsht jo të zakonshëm në sajtin e France Football, por thuajse askush nuk kishte dyshime se kush do të vlerësohej nga redaksia transalpine.
I dyti në votim doli Lionel Mesi dhe i treti Antoine Griezmann, humbës i madh i finaleve të vitit.
Mbështetësit e Ronaldos thonë se 2016 nuk ishte një vit spektakolar për të, por dy trofetë kontinentalë dhe 51 golat e shënuar në 55 ndeshje mes klubit dhe kombëtaresh, janë një argument i fortë në favor të CR7.
Ky çmim u rikthye në duart e France Football pasi në 2010, revista i shiti të drejtat FIFA-s. Kështu u rikthye dhe formati i vjetër me votimin e gazetarëve dhe jo trajnerëve e lojtarëve, që jo pak herë ishte i ndikuar, gjeografik dhe larg meritave.