Ronaldo konfirmon: Vendosa të mbyll fabrikën e fëmijëve

Rio De Zhenerio, 28 dhjetor - Lindja e më tepër fëmijëve nga sa kishte menduar kërkon një zgjidhje. Pas çështjeve për njohjen e atësisë me dëshirë ose të rastësishme, Ronaldo ka vendosur: Po mbyll fabrikën e fëmijëve.
Për këtë arsye, sulmuesi i mirënjohur brazilian i është nënshtruar vasektomisë, me fjalë të tjera është sterilizuar, në mënyrë që të mos jetë më i aftë të ketë pasardhës të tjerë. Lajmi është bërë i ditur nga 34-vjeçari për gazetën braziliane Folha de S.Paulo.
Ish-lojtari i Barcelonës, Interit, Realit të Madridit dhe Milanit ka katër fëmijë: Ronald, djalin 10-vjeçar me Milen Dominguez; Aleks, djalin 5-vjeçar pas njohjes së rastësishme me Mishel Umezun në vitin 2004 kur ndodhej në Japoni për një miqësore me Realin e Madridit, dhe dy vajzat, Maria Sofia (2 vjeçe) dhe Maria Liza (nëntë muajshe), nga bashkëshortja aktuale, Bia Antoni.
Atësia e Aleks u njoh vetëm gjatë këtij viti: Më vjen keq, pasi i humbëm të gjithë këta vjet. Ai u bë pjesë e familjes në mënyrën më natyrale. Tani jemi një familje edhe më e madhe. Por, kaq mjafton.