Ronaldo akuzohet për evazion fiskal
Madrid, 13 qershor - Pas Lionel Messit, i takon Cristiano Ronaldos të bëjë llogaritë me organet tatimore spanjolle. Prokuroria e Madridit ka ngritur zyrtarisht padi kundrejt yllit të Realit të Madridit për evazion fiskal për një shifër prej 14.7 milionë Eurosh.
Sipas organit të akuzës, Ronaldo ka krijar një shoqëri për të fshehur të ardhurat nga të drejtat e imazhit, një veprim ky i bërë me vullnet e ndërgjegje të plotë duke thyer kështu ligjet fiskale të vendit iberik. Evazioni fiskal i kryer nga Cristiano Ronaldo është kryer për përiudhën 2011-2014 që do të thotë se portugezi duhet të përgjigjet për 4 krime ekonomike.
Denoncimi ndaj Ronaldos është bërë në bazë të provave të paraqitura nga Agjencia e Të Ardhurave në Spanjë që ndër të tjerat kujton se Ronaldo krijoi shoqërinë Tollin Associates në Ishujt Virgin ku ai kalonte të ardhurat nga të drejtat e imazhit. po kështu Ronaldo kishte një shoqëri të tillë edhe në Irlandë me emrin Multisports&Image Management.
Por jo vetëm kaq, prokuroria bën të ditur gjithashtu se Ronaldo në perirudhën 2011-2014 ka deklaruar 11.5 milionë Euro të ardhura, kur kjo shifër në të vërtetë ishte 43 milionë. Sipas këtyre deklarimeve rezulton se të ardhurat e Ronaldos kanë qenë nga kapitali mobiliar dhe jo nga aktivitete të tjera ekonomike duke i dhënë mundësinë që të reduktojë nivelin e të ardhurave të deklarueshme.
Së fundmi Prorkuroria deklaroi se Ronaldo me vullnet të plotë nuk përfshiu te deklarimet për organet tatimore 28.4 milionë Euro nga të drejtat e imazhit për periudhën 2015-2020 që i ka kaluar te shoqëria Adifore Finance që vepron vetëm në territorin spanjoll.