Ronaldinjo kërkon pagë sa Robinjo e Ibra
Doha, 7 shtator - Mesfushori i Milanit, Ronaldinjo, raportohet se është duke kërkuar pagë të ngjashme me atë të dy përforcimeve të reja, Robinjo dhe Zlatan Ibrahimoviçit, para se të nënshkruajë kontratë të re me kuqezinjtë.
Ronnie, i cili shkëlqeu në javën e parë në Serie A kur Milani fitoi 4-0 ndaj Leçes, e sheh veten si thelbësor në ekip, po aq sa edhe dy nënshkrimet e reja dhe nuk dëshiron të pranojë ulje të pagës.
Oferta të cilën Milani raportohet se ia ka ofruar 30-vjeçarit brazilian është 4 milionë euro në vit, që është përgjysmë e asaj sa ai merr aktualisht.
Ish-ylli i Barcelonës, tashmë është në vitin e fundit të kontratës së tij dhe do të jetë në gjendje të negociojë me klube të tjera që në afatin kalimtar të janarit.