Ronaldinho mund të largohet nga Milani
Milano, 16 dhjetor - Mesfushori brazilian Ronaldinho mund të largohet nga Milani, dhe Brazili është një prej opsioneve, thotë agjenti i tij.
Ronie po dështon të gjejë veten nën drejtimin e trajnerit Massimilliano Allegri dhe ka startuar vetëm një prej tetë ndeshjeve të fundit zyrtare.
Futbolli evoluon në një mënyrë shumë të shpejtë. Sot një transferim nga Milani duket i vështirë, por unë e di se çfarë mund të ndodhë në disa ditët e ardhshme. Gjithçka mund të ndryshojë papritmas, ka thënë agjenti dhe vëllai i Dinhos, Roberto de Assis.
Ronaldinho vazhdimisht është lidhur me një mori klubesh nga vendlindja e tij, mbi të gjitha Palmeiras dhe Flamengo.
Rikthimi në Brazil do ti lejonte atij të fitojë dy titujt që i mungojnë, Libertadores dhe Brasileirao. Do të ishte shumë e rëndësishme për ti shtuar këto trofe në kabinet. Ku mund të shkojë? Një marrëveshje e mirë varet nga klubi, trajneri dhe projekti që i propozohet atij, ka thënë De Assis.