Ronaldinho do të tërhiqet nga futbolli profesionist në vitin 2018
Barcelonë, 6 dhjetor - Ish-ylli i Barcelonës, Milanit, Parisit dhe mbi të gjitha i Brazilit, Ronaldinho po konsideron të tërhiqet nga futbolli profesionist në vitin 2018.
Fantazisti sulmues 37-vjeçar tashmë ka kaluar dy vitet e fundit pa një kontratë me ndonjë klub, që kur u largua nga Fluminense, por ka deklaruar më herët se do të fokusohet në interesa që s’kanë të bëjnë me futbollin, nëse një ditë do të vendoste të “varte këpucët në gozhdë”.
Karriera e pasur e tij ka nisur te Gremio, në vitin 1998, klubi brazilian që sivjet fitoi Kupën Libertadores, ose Champions Leaguen e Amerikës Latine.
“Po, ekziston kjo mundësi. Mendoj se do t’i them lamtumirë futbollit vitin e ardhshëm, zyrtarisht”, ka thënë Ronaldinho në një konferencë për shtyp.
“Ndoshta mund të luaj disa ndeshje lamtumire, me ekipet ku jam aktivizuar përgjatë karrierës, por për këtë do të mendojmë në vijim. Në momentin që do të jem tërhequr nga futbolli, atëherë do të eci përpara me projektet e mia muzikore, akademitë sportive etj.. Kjo është një fushë e re për mua, por do të kem kohë për ta eksploruar dhe për t’u adaptuar”, tha ylli brazilian.
Ronaldinho fitoi Kupën e Botës me Brazilin në vitin 2002, ndërsa ka fituar edhe Champions Leaguen dhe dy herë La Ligën me Barcelonën, sikurse edhe Serie A me Milanin. Ai është shpallur fitues i trofeut individual “Lojtari më i mirë i vitit për FIFA-n” në vitet 2004 dhe 2005, sikurse edhe i “Topit të Artë” në 2005-n.