Roberto Mançini merr zyrtarisht drejtimin e kombëtares italiane të futbollit
Romë, 16 maj - “Jam krenar që do të drejtoj kombëtaren”, u shpreh Roberto Mançini të martën, gjatë prezantimit të tij si trajneri i kombëtares Italiane, pasi nënshkroi një kontratë 2-vjeçare me Federatën Italiane të Futbollit (FIGC) deri në vitin 2020.
Edhe pse ka përfituar një pagë mjaft të lartë te ekipi i Zenitit në Rusi, Mançini ka vendosur të marrë drejtimin e kombëtares me një pagë të reduktuar deri në 3 here, krahasuar me pagën që përfitonte në Rusi.
“Ishte e lehtë për mua që të zgjidhja. Jam krenar që do të drejtoj kombëtaren. Për mua që kam qenë i grumbulluar në Koverçiano që nga viti 1978, kur isha 14 vjeç, kjo është gjëja më e bukur. Jam i lumtur për këtë zgjedhje të bërë, edhe për prindërit e mi që ndihen krenarë. Në radhë të parë dua të jem një trajner i mirë dhe në gjendje që të kthej Italinë në pozicionin që i takon, në elitën e futbollit botëror dhe evropian”, deklaroi Mançini.
Edhe pse nuk është e sigurt, kombëtares italiane mund t'i bashkohet dhe ish-lojtari i Milanit dhe Juventusit, Andrea Pirlo, i cili pritet të jetë pjesë e stafit teknik të ekipit.
Mançini do të bëjë debutimin e tij më 28 maj, në ndeshjen që Italia do luajë më Arabinë Saudite, ndërkohë që më datë 1 dhe 4 qershor “Të Kaltrit” do të përballen me Francën e Holandën.