Roberto Baggio ndihmësi i Guardiola-s
Munchen, 27 janar - Roberto Baggio njoftoi lajmin për tërheqjen e tij nga presidenca e sektorit teknik në Federatën italiane të futbollit në fillim të kësaj jave.
Tërheqja e tij ishte një rrufe në qiell të pastër pasi askush në Itali nuk mund ta shpjegojë atë
por jo në Spanjë. Mediat iberike shkruajnë se Bishtaleci do të jetë ndihmësi i Guardiola-s në aventurën e tij me Bayern Munchen.
Të dy ata kanë raporte miqësore me njëri-tjetrin që nga koha kur luanin bashkë tek Breshia në fillim të viteve 2000, kur në stol ishte trajneri Mazzone. Sipas mediave spanjolle, Pep ka kontaktuar Baggio-n disa ditë më parë, por nuk dihet nëse ky i fundit ka pranuar apo jo, por tërheqja nga funksionet në federatë të lë të kuptosh që përgjigja ka qenë pozitive.
Më herët si ndihmës i Guardiola-s u përfol Raul. Ish-kapiteni i Realit të Madridit u pa si një alternativë e mirë nga Pep për arsyen e thjeshtë se njeh mirë kampionatin gjerman, kjo falë eksperiencës së tij me Schalke 04.