Ribery përfshihet në skandal seksual
Paris, 20 prill - Ylli i Bayern Munichut dhe përfaqësueses së Francës, Frank Ribery, është përfshirë në një skandal seksual që mbrëmë ka shpërthyer në mediat franceze.
Mesfushori është pyetur nga policia në lidhje me një prostitutë të mitur marokene në vitin 2009. Avokatët e Ribery kanë pohuar se klienti i tyre është pyetur vetëm në cilësinë e dëshmitarit dhe kundër tij nuk është ngritur akuzë.
Por, burime të afërta me policinë zbulojnë se së bashku me Ribery janë pyetur edhe tre përfaqësues francezë, nga të cilët njëri ka pranuar se ka pasur kontakt me prostitutën, por nuk ka ditur se ka punë me një të mitur.
Mediat spekulojnë se futbollisti i Lyonit, Sidney Guvou, është një prej të përfshirëve, derisa emrat e dy të tjerëve nuk janë zbuluar, por dihet se njëri prej tyre luan në Spanjë dhe tjetri në Francë.
Nën hetim është edhe një klub në Paris, ku futbollistët shpesh kanë qenë mysafirë dhe ku ka ndodhur rasti me të miturën.
Frank është pyetur vetëm si dëshmitar. Këtu përfundon tregimi. Edhe nëse bëhet fjalë për diçka tjetër, kjo është punë private, ka thënë avokati i Ribery.