Reali ofron 30 milionë dhe Ramosin ose Pepen për Silvan
Madrid, 1 mars - Vitin që shkoi mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva, ishte pranë transferimit te Barcelona për 40 milionë euro. Ofertë kjo, e cila u refuzua nga Milani me motivin se qendërmbrojtësi brazilian është i pashitshëm. Por tani ankandit për brazilianin i është bashkëngjitur edhe Real Madridi i Mourinhos.
Ky i fundit synon të fitojë Champions-in, por për tia dalë mbanë kërkon mbrojtësin më të fortë në botë.
Mesa duket, oferta e klubit madrilen është e parezistueshme për Milanin dhe Adriano Gallianin.
Nga Spanja bëjnë të ditur se Real Madridi ofron për Thiago Silvën shumën e 30 milionë eurove plus kartonin e njërit ndërmjet Pepes ose Sergio Ramos.
Pepe i pëlqen shumë trajnerit të kuqezinjve, Masimiliano Alegri, por jo Adriano Galianit, për shkak të karakterit të vështirë që ka.
Kurse për Sergio Ramosin si Galliani edhe Allegri janë dakord. Madje edhe në të shkuarën krerët kuqezi, nën diktatin e presidentit Silvio Berluskoni, i janë vardisur së tepërmi mbrojtësit spanjoll.
Pavarësisht ofertës së madrilenëve për Thiago Silvën, Barcelona nuk është tërhequr nga ankandi, edhe pse blerjet e katalonasve është e varur nga e ardhmja e Guardiolës, i cili ende nuk e ka rinovuar kontratën. Barcelona në fund të sezonit mund të humbasë Piken, që kërkon të transferohet në Londër.
Ferguson ndërkaq është gati të bëjë çfarëdolloj çmendurie për ta rimarrë Piquen te Manchester United. Pra, me hapjen e merkatos, Milanit në radhë të parë i duhet tu bëjë ballë sulmeve të dy prej klubeve më të pasura në Evropë për Thiago Silvën.
Mirëpo, nga ana tjetër, shitja e brazilianit do lejonte Adriano Gallianin të shtinte në dorë kartonin e Carlos Tevez.
Sidoqoftë, rezultati i këtij tranferimi, gjithmonë nëse realizohet, do të ishte në favor të Milanit, pasi për sezonin që vjen vërtet do humbiste Thiago Silvën, por do fitonte dy futbollistë me peshë si Carlos Tevez dhe Sergio Ramos.
Ndërkaq zëvendëstrajneri i Milanit, Mauro Tasotti, i intervistuar nga Milan Channel, ka folur për Thiago Silvën: Shpeshherë Silva krahasohet me Franko Baresin. Për mendimin tim, fizikisht të dy ngjasojnë shumë, por Thiago është shumë më i fortë se Franko në lojën në ajër. Madje, sivjet braziliani duket edhe më i përgjegjshëm.