11 Janar 2025

Real Madrid me 500 milionë euro të hyra gjatë 2011/12

Madrid, 25 janar - Real Madrid është klubi më i pasur në botë për vitin e tetë me radhë.

Gjiganti madrilen, ka thyer barrierën e 500 milionë eurosh me të hyra gjatë stinorit 2011/12.

Më pas vijnë Barcelona (483), Manchester United (396) dhe Bayern Munich (368).

Real Madrid për vitin e tete me radhë kryeson renditjen e klubeve më të pasura, me të hyra rekorde deri më tani prej mbi 500 milionë eurosh.

Sipas Deloitte Money League, gjiganti madrilen e mbylli sezonin 2011/12 me përfitime më të mëdha se Barcelona, Manchester United, Bayern Munich dhe Chelsea që formojnë pesë pozitat e para.

Të hyrat e Chelseat janë shtuar dukshëm pas triumfit në stinorin e shkuar në Ligën e Kampionëve dhe FA Cup. Kurse, Manchester City është ekipi që ka shënuar përmirësimin më të madh duke u ngjitur nga pozita e 12-të në të shtatën. 

Të hyrat e kampionit në fuqi të Premierligës janë rritur në 286 milionë euro nga 170 sa ishin një edicion më parë.

Kjo, falë triumfit të tyre në Premierligë dhe marrëveshjes së re të sponsorimit. City ka nënshkruar marrëveshje 10 vjeçare me Etihad Airways me vlerë prej 480 milionë eurosh.

Arsenali ka rënë një pozitë dhe tani është i gjashti, por regjistroi 40 milionë euro të hyra më tepër nga një stinor më parë. Pas Manchester Cityt, renditen gjigantët italianë, Milan dhe Juventus.

Kurse top dhjetëshen e kompleton Liverpool. Por, sa i përket kreut, Real Madrid e barazoi rekordin e Manchester Unitedit duke dalë i pari për tetë sezone të njëpasnjëshme.

“Reali udhëheq falë një rritjeje të jashtëzakonshme të hyrave të arritura me sukses sportiv në dy dekadat e fundit”, njoftoi Deloitte. “Rritja e të hyrave të Realit ka qenë e jashtëzakonshme.

Më 1996/97, sezoni i parë kur u publikua analiza e Money League, Reali kishte regjistruar të hyra prej 85 milionë eurosh”, shtoi Deloitte që po ashtu tregoi për faktin se gjiganti madrilen ka përfitime të balancuara ku 25 përqind e totalit vijnë nga ndeshjet, 39 përqind nga transmetimet dhe 36 përqind nga shitjet komerciale.

Borussia Dortmund zuri vendin e 11-të falë suksesit të saj në Bundesligë kurse Inter për herë të parë pas një dekade ka rënë nga top dhjetëshja.

Deloitte Football Money League:

1. Real Madrid: 513 milionë euro

2. Barcelona: 483

3. Man Utd: 396

4. Bayern Munich: 368

5. Chelsea: 323

6. Arsenal: 290

7. Manchester City: 286

8. AC Milan: 257

9. Liverpool: 233

10. Juventus: 195

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)