Real Madrid gati të shpenzojë 105 mln euro për Dybala
Madrid, 11 janar - Reali i Madridit është gati të shpenzojë shifra stratosferike për sulmuesin e Juventusit, Paolo Dybala.
Duke iu referuar mediave spanjolle, klubi madrilen po përpilon një ofertë prej 105 milion eurosh për shërbimet e 23 vjeçarit, ndërsa vetë argjentinasit do ti ofrohet një pagë prej 10 milion eurosh në sezon.
Emri i Paolo Dybalës vijon të qarkullojë në axhendën e Realit të Madridit. Presidenti Florentino Perez është mjaft i tunduar nga cilësitë e sulmuesit argjentinas dhe është gati të shpenzojë shifra marramëndëse për shërbimet e tij.
Sipas të përditshmes spanjolle Sport klubi madrilen po përgatit një ofertë prej 105 milion eurosh, me qëllim bindjen e Juventusi të heqë dorë nga talenti 23 vjeçar.
Po ashtu raportohet se vetë lojtarit do ti ofrohet një pagë vjetore prej 10 milion eurosh në sezon. Dybala cilësohet nga shumë specialist si pasuesi ideal i Lionel Messit në kombëtaren e Argjentinës dhe për këtë arsye në garë është edhe Barcelona, megjithatë duket se Reali i Madridit është në pole position dhe nëse 105 milion eurot e raportuara nga mediat iberike kthehen në një ofertë konkrete për Juventusin, atëherë lëvizja ka gjasa të realizohet.
Në rast se gjithçka mbyllet me sukses, atëherë e ardhmja e Alvaro Moratës do të jetë larg Santiago Bernabeut dhe nuk përjashtohet që në negociatat për Dybalën të përfshihet edhe kartoni i spanjollit, i cili e ka vlerësuar gjithnjë përvojën e tij në Torino.
Sulmuesi pasi kaloi një periudhë dëmtimi tashmë po rigjen formën optimal tek Juventusi dhe ka rifituar pozicionin e titullarit në hierarkitë e trajnerit Massimiliano Allegri.