Raul transferohet te skuadra nga Katari, Al Sadd
Katar, 14 maj - Skuadra nga Katari, Al Sadd, ka konfirmuar transferimin e ikonës së Real Madridit, Raul Gonzalez. Sulmuesi 34-vjeçar ka firmosur me skuadrën nga Katari për të luajtur në dy stinorët e ardhshëm, ka njoftuar Al Saddi të dielën në faqen e saj zyrtare.
Raul te Al Sadd transferohet nga skuadra gjermane Schalke. Raul më herët kishte lajmëruar largimin nga Schalke, ndërsa kishte thënë se do të transferohet në ndonjë ligë më pak konkurrente.
Ylli spanjoll Raul Gonzalez ka lidhur kontratë me klubin për edicionin 2012/13″, shkruan në faqen e Al Saddit.
Raul më 19 prill në konferencë për media kishte paralajmëruar largimin nga Schalke, së cilës skuadër i ishte bashkuar nga Real Madridi në vitin 2010. Ai kishte insistuar se dëshiron të kaloj më tepër kohë me familjen e tij.
Unë definitivisht kam vetëbesim për të luajtur në ligat më të forta, por tash dua të kem më shumë kohë për familjen. Nuk kam kaluar shumë kohë me familjen së fundi. Bundesliga është ligë mjaft e fortë, kështu që nuk mund të kalosh shumë kohë me ta. Dua të pranoj një ofertë që do të më mundësojë të kaloj më shumë kohë me familje, kishte thënë Raul më herët.
Raul mban statusin e legjendës në Real Madrid, ku ende është lojtari me më së shumti paraqitje për skuadrën (741) dhe më së shumti gola (323).
Por, Raul në vend se të pensionohej apo të pranoj një rol rezervisti te Reali, vendosi të largohet nga skuadra dhe të vazhdojë karrierën në Bundesligë.
Ai në stinorin debutues në Bundesligë shënoi 13 gola, ndërsa në këtë edicion shtoi 15 të tjerë.
Raul mban rekordin për më së shumti gola të shënuar në Ligën e Kampionëve, 71 dhe më së shumti gola të shënuar në kupa të Evropës 76.
Al Sadd ishte skuadër kampione e Azisë edicionin e kaluar.