Qeveria ndan mjete për renovimin e Stadiumit Adem Jashari
Prishtinë, 24 qershor - Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për renovimin e Stadiumit Adem Jashari në Mitrovicë, me qëllimin që ky objekt sportiv të jetë funksional sipas standardeve të rekomanduara nga UEFA dhe FIFA, për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit.
Kryeministri Isa Mustafa, me këtë rast tha se është trajtuar mundësia që ky vendim të bëhet përmes rishikimit të Buxhetit, duke qenë një proces më i rregullt.
Mirëpo, meqenëse kushtet që i ka vënë FIFA janë kushte të cilat nuk presin, ndërkaq derisa të hyj në fuqi ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për ndryshimin e Buxhetit është një periudhë e caktuar kohore, e cila na i prolongon punët të cilat duhet të bëhen në Stadiumin Adem Jashari në Mitrovicë, është dhënë ky propozim që këtë ta bëjmë, me kusht që pastaj të riplotësohet pjesa e rezervës buxhetore gjatë rishikimit të Buxhetit dhe të shfrytëzohen të gjitha burimet tjera të cilat i ka Ministria e Kulturës, në mënyrë që të plotësohet pjesa tjetër, sepse është fjala për një investim, me sa kemi informata, ndërmjet 1 milion e 100 mijë deri në 1 milion e 200 mijë euro. Kjo është vlerë e parallogaritur. Vlera e vërtetë është vlerë që pastaj do të përcaktohet në fazën konkurruese, tha kryeministri Mustafa.