Puyol dhe Villa në Euro 2012
Madrid, 4 qershor - Edhe pse janë të lënduar dhe si rezultat kanë mbetur jashtë ekipit, sulmuesi David Villa dhe mbrojtësi Carles Puyol do të udhëtojnë për në Euro 2012 në Poloni dhe Ukrainë.
Vendimi është marrë nga Federata spanjolle e Futbollit, dhe presidenti Jose Maria Claramunt i cili kërkoi që Villa dhe Puyol të jenë pjesë e ekipit, në formë të përkrahësve.
I gjithë stafi teknik dhe futbollistët kanë pranuar që dyshja e Barcelonës të udhëtojë bashkë me ekspeditën e Spanjës e cila do të garojë në Grupin C ku për kundërshtar do të ketë Italinë, Kroacinë dhe Republikën e Irlandës.
Spanja është një prej favoritëve për triumf në Euro 2012 ku niset me synim të mbrojë trofeun që fitoi katër vite më parë në Austri dhe Zvicër.