PSG ofron 355 mijë euro në javë për Cristianon
Paris, 25 nëntor - Paris Saint Germain vazhdon të këmbëngulë për të sjellë në kryeqytetin francez portugezin Cristiano Ronaldo, pavarësisht deklaratave të agjentit të futbollistit, Jorge Mendes, se ai do të mbyllë karrierën te Reali i Madridit.
Sipas asaj që publikohet te tabloidi britanik Daily Mirror, skuadra transalpine është gati të bëjë një çmenduri për të siguruar shërbimet e yllit portugez dhe ka përgatitur për 30-vjeçarin një kontratë me një pagë prej 355 mijë eurosh në javë ose 19.5 milionë euro në sezon.
Kampionët e Francës janë në kërkim të zëvendësuesit të Zlatan Ibrahimovic, kontrata e të cilit me skuadrën kampione të vendit skadon në verën e vitit 2016 dhe Cristiano Ronaldo është personi i duhur.
Kjo ofertë e transalpinëve ia vështirëson jo pak gjërat Manchester United, pasi edhe Djajtë e Kuq e dëshirojnë shërbimin e portugezit. Vetë Van Gaal përpara pak ditësh konfirmoi interesin e United për të rikthyer Ronaldon në Old Trafford, por duke parë ofertën marramendëse të PSG, misioni i anglezëve duket pothuajse i pamundur.
Shpresa e Van Gaal në këtë pikë është që Cristiano Ronaldo të vendosë për kalimin në Angli te ish-skuadra e tij.