Prishtina i ofron pritje te ngrohtë tifozëve anglezë
Prishtinë, 17 nëntor - Kur shorti ra në fillim askush nga anglezët nuk e priste se ndeshja me Kosovën do të kishte një karakter kaq miqësor.
E pavarësisht se Anglia tashmë është kualifikuar tifozët anglezë vendosën të udhëtonin në numër të madh në Prishtinë pasi vlerësuan falënderimet që kosovaret ua bën atyre në ndeshjen e parë.
Për njërin nga albionët, ndeshja e së dielës nuk ka të bëjë me fituesin apo humbësit, por për miqësinë.
“Nesër nuk do të shohim se kush do të fitoj apo kush do të humbas, kjo ndeshje ka të bëjë me miqësinë mes nesh. Kam ardhur që dje dhe më pëlqeu qyteti, njerëzit çdo gjë tjetër deri tani”, thotë ai.
“Përderisa është lojë e mirë nuk më intereson aq shumë rezultati. Lojtarët e Kosovës janë shumë pasionantë, të talentuar dhe të shpejtë, do të jetë lojë e vështirë nesër. Faleminderit Kosovë, njerëz fantastik, mikpritje e shkëlqyer, ju dëshirojë fat nesër”, thotë një tjetër.
“Kam ardhur nga Neë Castle për të parë këtë ndeshje, për mua lojtari më i mirë në ekipin tuaj është Atdhe Nuhiu”, tregon një tifoz tjetër.
Për dallim nga disa vende ku lojtarët e tyre u pritën me thirrje raciste, bulevardi “Nëna Terezë” u mbush me flamuj të të dyjave shteteve, ndërsa qytetarët në baza vullnetare kanë vendosur mbishkrime “Mirësevini vëllezër” si dhe “Mirësevini, respekt”.
E pikërisht toleranca është e përbashkëta mes këtyre dy popujve për Samuel Paice i Ambasadës Britanike në Kosovë.
Samuel thotë se vendi ka arritur mjaft shumë në futboll, e për këtë gjatë këtij viti ka pritur një investitor potencial nga Anglia, i cili ka shfaqur interes të blejë aksione në një nga klubet e ligës vendore.
Ndeshja e parë e zhvilluar me Angli, përfundoj 5-3 në favor të albionëve.
Pas 7 ndeshjeve, Anglia arriti të kualifikohet në Euro 2020 me 18 pikë, ndërsa Kosova pas humbjes nga Çekia ra nga liga me 11 pikë.
Por, Kosova ka edhe një mundësi tjetër që të bëhet pjesë e Euro 2020.
Kjo nëse përfaqësuesja e vendit arrin të dalë fituese e Playoff, mundësi kjo e dhënë nga Liga e Kombeve.