Premier Liga e varfër, shpenzon vetëm Sity
Manchester, 2 gusht - Edhe pse ka mbetur vetëm një javë nga fillimi i sezonit të ri i Premier Ligës (sfida mes Chealsy dhe Manchester United për Charity Shield më 8 gusht), merkatoja verore ka ngelur në vend numëro.
Me përjashtim të Manchester Sity-it, që ka siguruar David Silvën, Jaja Turenë, David Boatengun dhe me shumë mundësi Mario Balotelin, paratë duket se janë zhdukur fare. Për ta vërtetuar këtë, mjaft të analizojmë fushatën e blerjeve të katër ekipeve më të mëdha në ishull.
E nisim nga Chealsy, kampioni në fuqi. Mikael Balak kaloi te Leverkuseni dhe u zëvendësua nga Benajun, i ardhur nga Liverpuli. Ançeloti duket i kënaqur, por nuk do të ishte keq sikur drejtuesit t\'i sillnin një sulmues. Anelka nuk është më i pari, kurse pas dëmtimit në botëror, vështirë se Drogba mund të përsërisë sezonin e kaluar.
Emri që u përfol ishte Fernando Torres, madje çështja vazhdon të mbetet e hapur. Por për të parën herë financat ruse u zmbrapsën para kërkesës së Liverpulit. Pra, grupi i londinezëve ka mbetur pak a shumë i njëjtë me atë të sezonit të kaluar. Me ndryshimin e vetëm se të gjithë kanë nga një vit më tepër mbi supe.
Megjithë krizën financiare, Liverpuli është shtafqur disi më aktiv në merkato. Mbërritja e Xho Kolit nga Chealsy mund të duket si goditja e merkatos, por mesfushori anglez mbërriti në Anfield Road me parametra zero. Në fakt, blerja e vërtetë është ajo e Jovanociçit nga Standard Liezhi, por që në krahasim me blerjet e Torresit, Ksabi Alonsos, Akuilanit dhe Glen Xhonsonit, duket fare e vogël.
Arsenali i Vengerit kurrë nuk ka lëshuar bomba merkatoje dhe kurrë s\'ka për ta bërë. Nuk është kjo politika e Topçinjve. Në veriun e Londrës shumat më të mëdha të investimeve shkojnë gjithnjë në sektorin e të rinjve. Jo rastësisht blerja më e madhe e londinezëve është Koshielni, mbrojtësi francez i ardhur nga Lorienti. Kurse 18-vjeçari Uilshajër kthehet në tokën mëmë pas huazimit te Boltoni. Pra, edhe këtu paratë s\'janë dukur gjëkund.
Në fakt, një nga transferimet më të bujshme në Premier Ligë është ajo e Havier Hernandezit. Manchester United shpenzoi për djaloshin meksikan 10 milionë euro. Përveç atyre të kushërinjve të pasur arabë, kjo është shuma më e madhe e shpenzuar në Angli gjatë kësaj vere.
Po nga vjen kjo situatë e trishtë për gjithnjë të pasurën Premier Ligë? Arsyeja kryesore është norma e ashtuquajtur Fair Play Financiar e vendosur nga UEFA. Tashmë të gjithë (përveçse në Spanjë) e kanë kuptuar se me bilancet nuk mund të bëhet më shaka. Boshllëqet duhen mbushur.
Nga viti 2012 mund të lejohet vetëm diferenca deri në 48 milionë ndërmjet harxhimeve dhe të ardhurave. Nisur nga situata jo fort e këndshme financiare e të mëdhenjve britanikë, drejtuesit kanë kuptuar se është më mirë të fillohet paksa më herët. Fillimi i mbarë gjysma e punës.