Premier Liga angleze rifillon më 17 qershor pa spektatorë
Londër, 28 maj - Premier Liga angleze e futbollit, e pezulluar për shkak të pandemisë së koronavirusit, do të rifillojë më 17 qershor pa spektatorë.
Në një deklaratë nga Premier Liga thuhet se liga do të vazhdojë me ndeshjet Aston Villa-Sheffield United dhe Manchester City-Arsenal, të cilat do të luhen më 17 qershor, e mërkurë.
Shefi Ekzekutiv (CEO) i Premier Ligës, Richard Masters, deklaroi se ndeshjet do të luhen pa spektatorë.
"Ne do të vazhdojmë të punojmë duke u konsultuar me të gjithë aktorët tanë për ta vazhduar sezonin 2019-2020", tha Masters.
Siç raportohet, 92 ndeshjet e ngelura të ligës do të transmetohen nga Sky Sports, BT Sport, BBC Sport dhe Amazon Prime.
Nga ana tjetër, BBC njoftoi se do të sjellë në ekrane nga katër ndeshje në javë.
Ligat e futbollit në Angli u pezulluan më 13 mars për shkak të pandemisë së koronavirusit.