Portugalia shpallet kampione e Ligës së Kombeve
Lisbonë, 9 qershor - Portugalia e Cristiano Ronaldos fiton edicionin e parë të Nations League dhe shkruan emrin në librat e historisë.
Në Estadio do Dragao të Portos, luzitanët mposhtën 1-0 Holandën falë një goli të Goncalo Guedes në pjesën e dytë, duke bërë të tyrin trofeun e Ligës së Kombeve. Portugalia arriti kështu një tjetër sukses të rëndësishëm pas triumfit në Euro 2016-të.
Një fitore e merituar për portugezët që të shtyrë edhe nga publiku vendas, luajtën më mirë se Holanda. Tulipanët u kujtuan vetëm pasi pësuan golin për të sulmuar por edhe pse vunë në rrezik Rui Patricion në disa raste, nuk arritën të gjenin golin e barazimit dhe në fund ishte legjitime për skuadrën e Fernando Santos.
Portugalia u konfirmua edhe njëherë tjetër se në shtëpi është e pathyeshme teksa humbjen e fundit e ka pësuar në vitin e largët 2014, ndaj Shqipërisë në startin e eliminatoreve të Euro 2016.