Portugali, Maradona kandidon për trajnerin e Kombëtares
Lisbona, 13 shtator - E pabesueshme, por e vërtetë, Diego Armando Maradona mund të jetë pasuesi i Karlos Kueiroz në pankinën e Kombëtares së Portugalisë.
Trajneri i luzitanëve, prej pak kohësh, është shkarkuar për shkak të polemikave të shumta, të cilat kanë pasuar një ecuri më shumë se të keqe në eliminatoret e Euro 2012 (ka koleksionuar dy humbje në dy ndeshje).
Por ajo që askush nuk e priste të ndodhte ka lidhje me një kandidaturë të veçantë, si ajo e El Pibe de Oro.
Është e vërtetë, konfirmon për të përditshmen sportive portugeze A Bola ish-zëvendësi i trajnerit të Argjentinës, Alejandro Mankuzo, sepse unë dhe Diego kemi folur në lidhje me këtë çështje dhe kemi tashmë një projekt, i cili vlen për të ardhmen e kësaj Kombëtareje. Ai do të ishte i gatshëm për të drejtuar këtë ekip, por deri tani nuk jemi kontaktuar nga askush prej drejtuesve të Federatës Portugeze të Futbollit.
Vullneti i El Pibe de Oro, shpjegon më tej Mankuzo, është të vazhdojë të punojë në rangun e ekipeve kombëtare dhe nëse do të ketë interes nga Federata e Lisbonës, Portugalia do të ishte nga ekipet prioritare në listën tonë.
Maradona i ka portat e hapura për të gjithë, por ky është një projekt në të cilin ai e gjen veten shumë mirë. Paratë në rastin konkret nuk do të ishin problem.
Gjithçka perfekte, nëse nuk do të bëhej fjalë për atë frazë, e cila rrezikon të lërë në hije gjithçka mes aq shumë hipotezash sugjestionuese.
Deri tani nuk jemi kontaktuar nga askush, ka thënë Mankuzo. Kjo nuk është një gjë për të mos u vlerësuar.
Në fakt përshtypja është se kandidatët e vërtetë për postin e trajnerit janë luzitani Paulo Bento dhe trajneri kampion Europe me Spanjën, Luis Aragones.
Dhe nëse kandidatura spontane e Maradonës nuk do të ishte tjetër, veçse një mënyrë për të bërë publicitet pozitiv për ish-trajnerin e Argjentinës, i dalë si një dështim nga Botërori i Afrikës së Jugut, atëherë mund të thuhej se Aragones është më i favorizuari.
Por nëse është e vërtetë, që të mendosh keq për Maradonën është mëkat, atëherë edhe ai ka shanse të mëdha që të jetë drejtuesi i Portugalisë së ardhshme.
Nëse kjo do të ndodhte, do të ishte një nga surprizat e mëdha të këtyre ditëve të parë të vjeshtës.