Policia ndal Hamiltonin
Melbournë, 27 mars - Pas fitores së tij në garën e lirë në Melbourne, ylli i McLarenit, Lewis Hamilton, është ballafaquar me policinë australiane për shkak të përdorimit të jashtëligjshëm të automjetit të tij.
Siç duket Hamilton ishte në disponim për të bërë edhe disa xhiro, kësaj radhe me super-veturën e tij Mercedes 2010 duke shqetësuar disa dëshmitarë për shkak të shpejtësisë marramendëse.
Policia australiane nuk u tregua tolerante duke e ndaluar ish-kampionin e Formula 1. Hamilton kishte të bëjë rreth 30 minuta me policët, të cilët e detyruan atë ti nënshtrohet madje dhe testit alkoolik.
Pilotit britanik iu konfiskua vetura dhe do të mbahet nga policia australiane për 48 orë. Në ndërkohë, protagonisti i ngjarjes Lewis Hamilton ka kërkuar falje për veprimin e tij.
Çfarë bëra ishte budallallëk. Kërkoj falje për atë veprim, u shpreh Hamilton.