Pishina e parregullësive
Prizren, 1 nëntor - Sot organizatat e shoqërisë civile nga Rajoni i Prizrenit organizuan një konferencë për shtyp, ku u bë lansimi i Raportit të Monitorimit të tenderit - Ndërtimi i Pishinës Olimpike në Prizren që kishte një vlerë prej 2 milionë e 499 mijë euro.
Raporti i përgatitur nga organizatat: AVOKO, EC Ma Ndryshe, ISDY, KDI, PRAK konstaton se Komuna e Prizrenit ka bërë disa shkelje, qoftë në procedurat deri në nënshkrimin e kontratës, por edhe në menaxhimin e kontratës.
Procedurat e Prokurimit janë udhëhequr nga Komuna e Prizrenit, ndërsa financimi i këtij projekti është bërë nga Komuna dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Grupi monitorues ka gjetur shkelje në fazën e parë të prokurimit, në procesin e vlerësimit të ofertave, por edhe në menaxhimin e kontratës. Këto lëshime të bëra nga autoriteti kontraktues rrezikojnë që të kemi një projekt që nuk i plotëson kriteret dhe standardet e parapara në kontratë”, ka thënë Erolina Morina, një nga autoret e këtij raporti monitorues.
Ky raport i monitorimit ka gjetur se për tenderin në fjalë kishte pas disa ankesa, qoftë tek Autoriteti kontraktues apo në Organin Shqyrtues të Prokurimit për shkak të pretendimeve të Operatorëve Ekonomik që ishin në garë për shkelje ligjore.
“Fati i këtij tenderi është vendos nga një referencë për ndërtimin e një pishine e ofruar si dëshmi nga Operatori Ekonomik Fitues. Operatorët Ekonomik që nuk e kanë fituar tenderin pretendojnë se kjo dëshmi ishte fiktive. Është mirë që Prokuroria Themelore e Prizreni ka nisur hetime për këtë tender për të qartësuar nëse kjo referencë ishte apo jo fiktive”, ka thënë Edona Muqaj.
Probleme janë gjetur edhe pas nënshkrimit të kontratës me operatorin ekonomik Clirimi në vlerë prej 2 milionë e 499 mijë euro, përkatësisht në menaxhimin e kontratës.
“Menaxhimi i kontratës i është lënë Komunës së Prizrenit edhe pse në fillim ishte paraparë të bënte Ministria e Kulturës. Përveç kësaj kjo kontratë nuk ka një plan menaxhimi ashtu siç kërkohet në ligj të prokurimit. Plani për menaxhimin e kontratës ishte nënshkruar vetëm nga Operatori Ekonomik, po nuk ishte nënshkruar nga niveli kontraktues, respektivisht as komuna e as ministria”, ka thënë Muqaj.
Grupi i ka rekomanduar Komunës së Prizrenit që në prokurimet e ardhshme të respektohen afateve kohore të përcaktuara me ligj, si dhe t’i kushtohen shumë rëndësi procesit të vlerësimit të ofertave.
“Kryetari i Komunës dhe në mënyrë direkte Udhëheqësi i Prokurimit duhet të shqyrtojë me kujdes secilën kërkesë për rishqyrtim që vije nga bizneset në mënyrë që të parandalohen lëndët që të shkojnë në OSHP duke shkaktuar vonesa të panevojshme. Shkeljet eventuale duhet të identifikohet nga Komuna dhe të adresohen menjëherë”, ka thënë Anesa Berisha.
Raporti kishte konstatuar lëshime edhe nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, ndërsa është kërkuar që të ketë një bashkëpunim shumë më të mirë me Administratën Tatimore të Kosovës kur bëhet fjalë për prezantim të transaksioneve të ndryshme.
“OSHP duhet të tregohet më e dedikuar në eliminimin e parregullsive, sidomos duke rritur bashkëpunimin me institucionet përkatëse. Sikurse OSHP të komunikonte me ATK apo organet e drejtësisë, do të mund të dëshmohej para hyrjes në detyrime nëse oferta fituese, e kontestuar nga palët ankuese në OSHP, ishte e përgjegjshme apo jo. Mungesa e këtij bashkëpunimi mund të rrezikoj implementimin e kontratës”, ka thënë Berisha.