23 Dhjetor 2024

Përurohet terreni sportiv në Kaçanik

Kaçanik, 16 prill - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot komunën e Kaçanikut me ç’rast ka bërë përurimin e terrenit sportiv. 

Gjithashtu, mes MKRS-së dhe Komunës së Kaçanikut u nënshkruan tri memorandume bashkëpunimi për mbështetje financiare të projekteve “Terreni sportiv në Kaçanik” që do të zbatohet gjatë vitit 2019, “Ndërtimi i stadiumit në Kaçanik” që do të zbatohet gjatë viteve 2019-2021 dhe “Renovimi i Qendrës Rinore në Kaçanik” që do të zbatohet gjatë vitit 2019.

Sipas memorandumeve të nënshkruara, për realizimin e projektit për terrenin sportiv, Ministria ndan 100 mijë euro, për ndërtimin e stadiumit Ministria ndan mjete financiare prej 910 mijë eurosh ndërsa për renovimin e qendrës rinore Ministria ndan 50 mijë euro.

Ministri Gashi fillimisht uroi të gjithë qytetarët e Kaçanikut por edhe për të gjithë sportistët dhe sportdashësit.

“Sot nënshkruam tri memorandume bashkëpunimi për ndërtimin e fazës së dytë të stadiumit, për dy terrene sportive dhe ajo që është shumë e rëndësishme për një objekt të qendrës rinore për të gjithë të rinjtë e komunës së Kaçanikut duke pasur parasysh që Kaçaniku ka një rini të shëndoshë, të talentuar të cilës po i krijojmë mundësi dhe hapësira për të zhvilluar aktivitetet”, u shpreh ministri Gashi.

Ai po ashtu e cilësoi si shumë të rëndësishme përmbylljen e projektit të palestrës. “Objekti i palestrës ka filluar vite më parë për të cilin bashkë me kryetarin e Komunës jemi zotuar që këtë vit ta përmbyllim në mënyrë që sportistëve të sporteve të ndryshme t’ia japim një prej objekteve më të bukura të Republikës së Kosovës”, tha ai. Në fund ministri Gashi bëri të ditur se i gjithë investimi që do të bëhet gjatë vitit 2019 e kalon vlerën e 1 milionë eurove.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, u shpreh jashtëzakonisht i kënaqur me investimet e Ministrisë në këtë komunë. Ai falënderoi ministrin Gashi për përkushtimin e tij për mbështetje financiare në krijimin dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive.

I kënaqur me punën e ministrit Gashi u shpreh edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili tha se:

“Sot jam midis dy bartësve të përgjegjësive institucionale, të cilët janë shembull për të tjerët në institucionet e Kosovës. Janë njerëz që punojnë me transparencë, punojnë për qytetarët dhe janë të pakorruptuar. Ky është imazhi që duhet t’i japim Kosovës. Kosova është vend i shpresës, i rinisë dhe me do të investojmë në rini.

Ai po ashtu bëri të ditur se do të ketë investime edhe në fusha të tjera.

“Përveç kësaj fushe, është edhe pallati i sportit i cili po qëndron këtu prej 10 vjetësh dhe do të përfundojë brenda qershorit. Ky është edhe zotimi i ministrit të Kulturës”, tha ai.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)