Përurohet stadiumi ndihmës në Korishë të Prizrenit
Prishtinë, 19 gusht - Futbollistët e Komunës së Prizrenit do të kenë edhe një stadium të ri ndihmës.
Në Korishë të Prizrenit u përurua sot stadiumi ndihmës në Boka Boka nga kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.
Me këtë rast ministri Gashi konsideroi se me investimet që po bën MKRS-ja nëpër tërë Kosovën po krijohen hapësira të reja dhe mundësi shtesë për të interesuarit që të merren me sport, me theks, futboll.
“Është një investim në kuadër të projekteve që realizon Ministria e Sportit për të krijuar hapësira për futbollistët tanë, për talentet e rinj. Ky është projekti jo i fundit që po investojmë në Komunën e Prizrenit, kemi mjete të ndara edhe për stadiumin në Gjonaj në të cilin po presim të kryhen aspektet administrative nga ana e Komunës dhe të fillojmë investimet në këtë stadium”, u shpreh ministri Gashi.
“Jam i bindur fuqishëm që ky stadium do ta ndihmojë Komunën e Prizrenit, sportistët e Prizrenit që të avancojnë më tutje, kemi investime të shumta, Komuna e Prizrenit ka një memorandum me Ministrinë e Kulturës rreth 40 milion euro, presim që të gjitha këto investime të implementoj edhe në sport edhe në kulturë por edhe në trashëgimi”, tha ministri.
Ndërsa kryetari i FFK-së, Agim Ademi, falënderoi Ministrin Gashi dhe përmes tij MKRS-në për mbështetjen dhe kujdesin në investimet që po bëjnë në fushën e sportit.
“Nuk po rreshtin projektet e infrastrukturës së futbollit nëpër gjithë Kosovën, ky ministër e bën mrekullinë në stadiumet e sidomos në stadiumet e futbollit, jam shumë i lumtur që kam hasë në mirëkuptim sidomos te ministri, falënderoj edhe partnerin tim më të madh, Ministrinë e Sportit që po u ja jep hakun sportistëve”, tha Ademi.
E kryetari Haskuka tha se shpreson se investimet që po bëhen nëpër stadiumet në komunën e Prizrenit do të përdoren për avancimin e të rinjve dhe talenteve të reja.