Përkujtohet legjenda e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri
Prishtinë, 9 qershor - Me rastin e dy vjetorit të vdekjes së legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka bërë homazhe si shenjë kujtimi dhe nderimi për figurën e tij.
Ministrja Dumoshi e vlerësoi lart figurën e Fadil Vokrrit duke e konsideruar si një person që lind rrallë dhe se shembulli i tij do të jetë një frymëzim për gjeneratat që do të vijnë pas.
“Sot bëhen dy vjet nga mosprania fizike e Fadil Vokrrit mes nesh. Por asnjëherë nuk e kemi ndarë nga mendja kujtimin për legjendën e futbollit shqiptar. Figurat e tilla sikurse Fadil Vokrri, i cili me angazhimin e tij ka depërtuar jo vetëm në hapësirat gjithëshqiptare por edhe në Evropë dhe Botë. Sot e kujtojmë me dhimbje por edhe krenari sepse vërtet na mungon”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.
“Njerëz si Fadil Vokrri lindin shumë rrallë dhe populli i Kosovës ka qenë me fat që ka pasur në mesin e tij një personalitet si ai. Shembulli i angazhimit të paharruar të tij mbetet frymëzim për breza të tërë, me dekada, qoftë si futbollist aktiv në fushën e blertë, duke u dhënë kurajo të rinjve të merren me sport, por edhe si një lloj mobilizimi me kontributin e tij në fushën e futbollit."
"Populli shqiptar i Kosovës është identifikuar me Fadilin në aspektin kombëtar ku suksesi dhe paraqitja e tij është konsideruar edhe si ngushëllim për padrejtësitë dhe dëmet historike që i janë bërë popullit shqiptar të Kosovës me dekada të tëra."
"Fadili me shembullin e tij frymëzoi dhe mobilizoi shqiptarët e Kosovës se ky popull mundet të arrijë sukses dhe të realizojë atë që synon. Kanë qenë gjithmonë momente krenarie për ne si gjeneratë që jemi rritur me të, sa herë që ai ka pasur sukses, ne jemi gëzuar dhe kemi rritur shpresën për një Kosovë më të mirë, të lirë e të pavarur”, vlerësoi ministrja.
Ministrja Dumoshi tha se në këtë dy vjetor të përkujtimit për figurën legjendare të Fadil Vokrrit, bashkë me krerët e FFK-së po kujtojnë dhe nderojnë atë që ia kushtoi një jetë të tërë futbollit.
“Shembulli i Fadilit edhe si kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës ka qenë një motor bashkimi që sporti i futbollit të avancohet në Kosovën e pas luftës, kur ai luajti edhe rol vendimtar në ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës. Angazhimi i tij në këtë proces rezultoi edhe me pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA si një kurorëzim me medalje të artë, siç edhe ka qenë vet Fadili, gjithmonë i artë”, u shpreh ajo.