Përkrahet me 30 mijë euro Federata e Sporteve për të Verbër
Prishtinë, 8 maj - Përkrahet me 30 mijë euro Federata e Sporteve për të Verbër dhe licencohet Federata Muaythai e Kosovës.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Federatën e Sporteve për të Verbër të Kosovës dhe po ashtu ka nënshkruar licencimin e Federatës së Muaythai të Kosovës.
Qëllimi i memorandumit të nënshkruar është mbështetja financiare me 30 mijë euro për periudhën janar-dhjetor 2019.
Ministri Gashi tha se përkrahja financiare për Federatën e Sporteve për të Verbër është në vazhdën e nënshkrimit të memorandumeve për përkrahjen e federatave sportive të Kosovës.
Ndërkaq për licencimin e Federatës së Muaythai të Kosovës, ministri Gashi u shpreh:
“Licencimi i kësaj federate tregon përkushtimin tonë për krijimin e kushteve për sportin në vend e në këtë rast edhe për sportin muaythai. Me qëllim të përmbushjes së kërkesave të të rinjve, ne do të vazhdojmë të përkrahim krijimin e federatave të reja sportive për sportet të cilat në vendin tonë nuk janë shumë të zhvilluara. Ne besojmë se ky licencim është një motiv shtesë për të punuar në zhvillimin e këtij sporti për talentet e reja të Kosovës”