Përfaqësuesja e Kosovës në futboll prezanton logon dhe fanellat e reja
Logoja dhe fanellat u prezantuan në një konferencë për media, të kryesuar nga nënkryetari i FFK-së, Bakir Burri, i cili tha se dielli i paraqitur në simbolin e ri të FFK-së paraqet simbolin e dardanëve, paraardhësve të Kosovës, që simbolizon fuqinë.
“Kjo emblemë e Federatës së Futbollit pëlqehet nga të gjithë, besoj se është e qëlluar, i ka simbolet tona që mendoj se një emblemë duhet t’i ketë. Shpresoj që me këtë emblemë dhe në këto fanella të kemi fat në këtë garë dhe në vazhdimësi edhe në gara tjera të radhës”, theksoi Burri, i cili shtoi se ndërrimi i logos ka qenë kërkesë njëherësh dhuratë nga UEFA dhe FFK nuk ka investuar asgjë për këtë projekt.
Në konferencë u prezantuan edhe fanellat e përfaqësues së Kosovës në futboll me të cilat ekipi kosovar do të luaj në kualifikimet për “Katar 2022”. Kosova do të luaj me fanella me pesë ngjyra të ndryshme, të bardhë, të zezë, portokalli, të kaltër dhe ngjyrë ari.
Kombëtarja e Kosovës në futboll do të zhvillojë ndeshje miqësore me kombëtaren e Lituanisë më 24 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Më 28 mars në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës "Katari 2022", kombëtarja e Kosovës pret në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë kombëtaren e Suedisë ndërsa më 31 mars udhëton në Spanjë kundër kombëtares spanjolle.