23 Dhjetor 2024

Për herë të dytë pastrohet hapësira te Stadiumi “Fadil Vokrri”

Prishtinë, 26 shtator - Vullnetarët e Let’s Do It Kosova për të dytën herë brenda pak ditësh ka pastruar hapësirën afër stadiumit “Fadil Vokrri”, nga ku u larguan sot afër 50 thasë me mbeturina.

Vetëm pak ditë më parë, vullnetarët e Let’s Do It Kosova kishin realizuar një aksion tre ditor afër stadiumit në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, i cili kishte rezultuar me largimin 35 kamionëve dhe 150 thasëve me mbeturina.

Vetëm dy ditë pasi përfundoi aksioni, ajo hapësirë ishte mbushur sërish plot mbeturina, pavarësisht që Let’s Do It Kosova kishte kërkuar nga inspektorët që ta mbikëqyrin atë zonë dhe t’i gjobisin të gjithë ata që e ndotin.

Drejtori i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj ka thënë se vetëm tri ditë pasi u pastrua ajo hapësirë ka sërish nevojë që të mblidhen vullnetarët dhe t’i pastrojnë hapësirat përreth stadiumit, parkingut dhe të ashtuquajturit treg, i cili thuhet se është i paligjshëm.

“Ajo që më shqetëson është që ky treg qenka i paligjshëm dhe asnjë kriter të vetëm nuk e plotëson për të ushtruar atë veprimtari dhe dua t’i bëj apel Komunës së Prishtinës që urgjentisht të marrë një vendim për ta mbyllë këtë treg, sepse komuniteti i cili shet këtu nuk po kujdeset për asgjë tjetër përpos të marrë paratë dhe të shkojë, t’i lë prapa të gjitha mbetjet që nuk iu shiten”, ka thënë Hasanaj.

Ai u ka bërë thirrje edhe institucioneve që të jenë më të përgjegjshme karshi përgjegjësive të tyre.

“Vetëm para 3 ditëve kjo hapësirë ishte e pastër, u pastruan 35 kamionë mbetje ndërtimore dhe mbi 150 thasë mbetje prej vullnetarëve. Por ajo çfarë ndodhi të martën, situata u kthye pothuajse njëjtë siç ishte më parë dhe ne do të kthehemi prapë të martën do kërkojmë nga inspektorët të jenë këtu për t’i dënuar ata që bëjnë veprime si këto që shohim dhe kemi kërkuar nga komuna të sjell kontinierë të paktën, sepse është vetëm një dhe kërkojmë nga “Pastrimi” të jetë më e përgjegjshme në punën e saj, sepse kanë obligim dhe faj për këtë situatë dhe nuk mund të shfajësohet nga kjo përgjegjësi”, shtoi ai.

Hasanaj tutje ka paralajmëruar se nëse ndodh pastrimi i tretë në këtë vend, atëherë në shenjë proteste për papërgjegjësinë, mbeturinat do të dërgohen para objekteve të institucioneve që janë përgjegjëse për mirëmbajtjen e kësaj pjese. 

“Aksioni i tretë do jetë ndryshe, ne do vijmë të pastrojmë dhe mbetjet qe mblidhen këtu do t’i dërgojmë para komunës dhe secilit institucion që është përgjegjës për të ndaluar ata që veprojnë kështu sepse as ne nuk mundemi të organizojmë pafundësisht aksione për të pastruar mbetjet të cilat i kanë përgjegjësi”, shtoi ai.

Përmes kësaj komunikate, Let’s Do It Kosova edhe njëherë ju bën thirrje të gjithë qytetarëve që ta ruajnë mjedisin dhe të bashkohen në aksionet e pastrimit që po realizohen në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila ka nisur më 15 shtator, ndërsa do të vazhdojë deri më 15 dhjetor.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)