Paolo Maldini rrezikon burgun
Milano, 29 mars - Ish-kapiteni historik i Milanit, Paolo Maldini, rrezikon të përfundojë disa vite pas hekurave, informuan mediat italiane.
Në fakt, një proces gjyqësor nisi sot ndaj ish-futbollistit të kombëtatares italiane, i akuzuar se korruptoi një punonjës shtetëror për të fshehur një pjesë të pasurisë së tij nga taksat shtetërore.
Në bazë të kodit penal italian, akuza e evazionit fiskal dënohet nga gjoba deri me burgim, ndërsa ajo e korruptimit të një punonjësi shtetëror vetëm me burgim.
42-vjeçari u paraqit sot në Gjykatën e Milanos për tu njohur me akuzat. Si një rastësi kurioze, Maldini mbërriti në gjykatë pak pasi kishte dalë miku i tij, presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, që gjithashtu gjykohet për evazion fiskal.
Në bazë të provave të deritanishme, duket se Maldini kishte korruptuar agjentin shtetëror që vlerësonte pasurinë e tij, duke i dhënë çdo vit, prej disa vitesh, një honorar prej 40 mijë eurosh për çdo Vit të Ri për të ndryshuar bilancet.
Nga ana e tij, agjenti shtetëror ndodhet aktualisht në burg, pasi u shpall fajtor për abuzim me detyrën. Ai përfitoi një ulje dënimi pasi i ktheu shtetit një milion euro të përvetësuara në mënyrë të parregullt prej Maldinit dhe klientëve të tjerë.