Pallati i Rinisë do t’iu shërbejë sportistëve dhe rinisë
Prishtinë, 8 nëntor - Kryetari Shpend Ahmeti bashkë me nënkryetarët Selim Pacolli dhe Muhedin Nushi, Drejtorin Genc Bashota dhe aksionarët e Pallatit të Rinisë, vizituan sot këtë pallat për t’i takuar punëtorët dhe menaxhmentin aktual.
Ditëve në vazhdim, Pallati i Rinisë do të shndërrohet në Ndërmarrje Publike Komunale. Si Komunë e Prishtinës jemi duke u takuar me donatorë potencialë, ashtu që sa më parë të nisin investimet.
Salla e djegur e Pallatit të Rinisë, do të rinovohet dhe do të bëhet e përshtatshme për zhvillimin e sporteve të ndryshme.
Gjithashtu, do të intervenohet edhe në pjesën afariste. Qëllim në vete është edhe realizimi i plotë i projektit të Pallatit të Rinisë, duke e lidhur kështu pallatin me platonë e hotelit Grand.
Me investimet që do t’i bëjmë, dhe donacionet që do të marrim, Pallatin e Rinisë do ta kthejmë në pallat që iu shërben sportistëve dhe të rinjve të kryeqytetit.
Komuna e Prishtinës po angazhohet që sa më parë të krijojë stabilitet financiar në Pallatin e Rinisë, duke i pasur parasysh problemet e shumta që i kemi trashëguar nga AKP, përfshirë problemet me rrogat e punëtorëve dhe borxhet e mbetura.