Nis gjyqi Messit për evazion fiskal
Barcelonë, 1 qershor - Në Barcelonë nisi gjyqi ndaj sulmuesit të Barcelonës Lionel Messi dhe babait të tij Jorge, të akuzuar për një evazion fiskal prej 4.1 milionë euro. Si futbollisti ashtu dhe babai i tij nuk ishin në këtë seancë të parë.
Sipas ligjit në Spanjë, personat të akuzuar për vepra për të cilat parashikohen dënime më 2 vjet burg ose më pak, nuk janë të detyruar të paraqiten në sallën e gjyqit.
Gjithsesi, një prej avokatëve mbrojtës të familjes Messi, Havier Sanchez Vera, i dorëzoi gjykatësit të kësaj çështjeje raportin mjekësor për dëmtimin e futbollistit për të justifikuar mungesën e tij.
Zyra e Avokatisë së Shtetit kërkon një dënim me 22 muaj burg për Messin dhe babain e tij Jorge, ndërsa Prokuroria kërkon arkivimin e kësaj çështje për futbollistin dhe vetëm dënimin e babait të Messit me 18 muaj burg.
Sipas avokatit Basigulpo, është e pamundur që Messi të dënohet me burg, pasi dënimi për këtë vepër penale është më pak se 2 vjet burg dhe se futbollisti nuk ka precedentë penalë.
Në të njëjtën kohë ai konfirmoi se Messi do të shfaqet në sallën e gjyqit ditën e enjte. Në këtë moment ai ndodhet në Argjentinë ku po kryen fazën e riaftësimit nga dëmtimi në shpinë, megjithatë shumë shpejt ai pritet të mbërrijë në Barcelonë.