Neymar përcaktohet për Barcelonën
Barcelonë, 11 tetor - Një titull i vendosur në faqe të parë, që zgjidh çdo enigmë rreth së ardhmes së Neymar. El Mundo Deportivo, e përditshme sportive katalanase, zbulon prapaskenën e transferimit të talentit të madh brazilian te Barcelona.
Tetëdhjetë milionë euro për Neymar, shkruan në faqen e saj të parë, e cila nuk do të thotë se Barcelona do të paguajë këtë shumë për të sjellë në Camp Nou lojtarin, por do të jetë vetë futbollisti ai i cili do të detyrohet të derdhë në arkat e klubit blaugrana këtë shumë në rast se firmos me një skuadër tjetër.
Për të qenë më të qartë, kjo përkthehet që Neymar ka arritur tashmë një marrëveshje me Barçën për shumën e 50 milionë eurove, pavarësisht se deri në këto momente lojtari ka mohuar diçka të tillë, sikundër edhe presidenti i klubit Barcelona, Sandro Rosell.
Në fakt, Neymar asnjëherë nuk e ka fshehur se dëshiron të luajë me Barcelonën dhe të jetë në një skuadër me Lionel Messin. Lëvizja e fundit e Barcelonës ka ardhur pas një interesimi që ka shfaqur ditët e fundit PSG për yllin e Santosit.
Sipas El Mundo Deportivo, Neymar duhet të mbërrijë në Camp Nou në verën e vitit 2013.