Nënshkruhet memorandum për Qendrën e Sportit në Zubin Potok
Prishtinë, 14 gusht - Në kuadër të mbështetjes së komunave të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sot ka nënshkruar memorandum me komunën e Zubin Potokut, për mbështetje financiare të projektit “Sigurimi i pajisjeve për Arenën në Qendrën Sportive në Zubin Potok”, në vlerë prej 100 mijë euro.
Memorandumin e nënshkruan ministrja Vlora Dumoshi dhe kryetari i komunës Stevan Vuloviç.
“Ministria ka obligim që të investojë në të gjitha komunat e Kosovës dhe i trajton të gjitha njësoj. Për mua si ministre të gjitha komunat janë të barabarta, të gjithë janë qytetarët të Kosovës dhe do t’i mbështes të gjitha komunat pa përjashtim. Edhe ky projekt por edhe projekte tjera të cilat pritet të planifikohen për vitin e ardhshëm, si MKRS jemi të gatshëm dhe do të ndihmojë edhe Komunën e Zubin Potokut”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.
Ministrja e njoftoi kryetarin Vuloviç se fondi emergjent prej 5 milion për MKRS-në veçse është miratuar dhe porositi që t’i inkurajojë të rinjtë dhe organizatat që veprojnë në Zubin Potok që të aplikojnë në thirrjet që do të shpallen nga ministria, në mënyrë që të përfitojnë nga fondi.
Nga ana e tij, kryetari Vuloviç e falënderoi ministren për pritjen e ngrohtë dhe për mbështetjen. Tha se mbështetja e ministrisë dhe gatishmëria e ministres për ta ndihmuar Zubin Potokun janë befasuese dhe e mirëseardhur. Është e nevojshme një ndihmë e tillë për komunitetin në Zubin Potok, tha Vuloviç, sepse komuna ka shumë të rinj e sportistë aktivë.
Palët u pajtuan që ditëve në vijim, ministrja të vizitojë Komunën e Zubin Potokut.