Ndërtohen dy fusha të vogla sportive në Mitrovicë
Mitrovicë, 4 tetor - Komuna e Mitrovicës ka nisur këtë vit një projekt për ndërtimin e fushave sportive nëpër lagje të ndryshme të qytetit për të krijuar kushte që fëmijët dhe të rinjtë të kenë vende adekuate për aktivite rekreativo-sportive. Zyrtarët komunalë vlerësojnë se ky është një investim për të ardhmen.
Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Artan Osmani, tha se në përgjithësi kushtet që ofrohen për të rinjtë për aktivitete rekreativo-sportive nuk janë të mira.
Ka pak hapësira adekuate për aktivitete sportive, prandaj kemi filluar sivjet të ndërtojmë dy fusha sportive.
Ai tha se këto dy fusha janë duke u ndërtuar në lagjet periferike, Vaganicë dhe Fushë-Ibër. Janë këto lokalitete periferike, por që kanë shumë banorë. Ato janë mirëpritur shumë nga banorët dhe sidomos fëmijët dhe të rinjtë.
Osmani theksoi se këto fusha sportive do të ofrojnë mundësi për futboll të vogël dhe basketboll. Këto fusha do të jenë të rrethuara dhe brenda tyre do të ketë edhe ulëse për publik.
Ai tha se për këto dy fusha që janë duke u ndërtuar nga kompania Eurondërtimi, drejtoria ka ndarë 39 mijë euro.