Ndalohet Facebook-u për futbollistët gjatë Euro 2012
Kopenhagë, 25 prill - Federata e Futbollit në Danimarkë ka detyruar të gjithë futbollistët e saj të përfaqësueses të mos përdorin Facebook-un, por edhe rrjetet e tjera sociale si Twitter apo Google+.
Ky rregull do të vihet në zbatim gjatë zhvillimit të Evropianit 2012, raporton noa.al duke cituar zyrtarët e FFD.
Zëdhënësi i federatës, Lars Behrendt, ka shpjeguar së bashku me teknikun Morten Olsen se diçka e tillë po bëhet me qëllim që lojtarët e përfaqësueses të kenë një përqendrim maksimal gjatë këtij kompeticioni.
Ministri i Sportit, Uffe Elbaek, ka pohuar në anën tjetër se bëhet fjalë për një vendim të marrë nga federata, që duhet zbatuar pasi është në të mirë të skuadrës, por nuk ka mohuar se në pamje të parë diçka e tillë iu duk si një mohim i lirisë së fjalës.