Musa Selimi trajner i ri i Dritës
Gjilan, 10 korrik - Skuadra e Dritës është bërë me trajner të ri. Drejtuesit e klubit gjilanas, të martën, e kanë finalizuar marrëveshjen njëvjeçare me ish-trajnerin e kësaj skuadra para dy vjetësh, Musa Selimin, i cili në edicionin 2011/2012 e udhëhoqi Feronikelin drejt ngjitjes në shoqërinë elite.
Lajmin për emërimin e Selimit në krye të skuadrës gjilanase e ka konfirmuar kryetari i këtij klubi, Ismajl Rashiti.
Që nga sot trajner i Dritës është Musa Selimi. Ai e njeh mirë mentalitetin e klubit tonë, pasi ka qenë edhe më herët në krye të skuadrës, prandaj besoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur për edicionin e ri, ka theksuar Rashiti.
Ai ka bërë të ditur se përgatitjet e skuadrës do të nisin më 12 korrik, kurse ka thënë se në bashkëpunim me timonierin e skuadrës do të mundohen të sjellin në skuadër edhe disa përforcime, në mënyrë që të shfaqen sa më stabil në kampionatin e ri.
Radhët e Dritës gjatë kësaj vere i kanë braktisur Leonit Abazi, Artan Latifi dhe Emir Rama.