Mourinho po mendon të kthehet në Inter
Milano, 29 mars - Jose Mourinho ia ka hapur dyert një rikthimi eventual në Inter në të ardhmen. Trajneri portugez nuk e ka harruar ende eksperiencën e papërsëritshme te klubi italian, të cilin e konsideron si shtëpi të veten. Special One ndihet i trishtuar kur i sheh duke vuajtur Nerazzurrët, por beson se sezoni i ardhshëm do të jetë më i mirë.
Jose Mourinho nuk e ka harruar ende Interin. Trajneri portugez, edhe pse po kalon momente të mira me Realin e Madridit, me të cilin është afër kualifikimit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe titullit të kampionit në La Liga, mendjen e ka ende te skuadra Nerazzurre.
Me Interin, Special One në vitin 2010 e fitoi Triplete, Ligën e Kampionëve, Serie A dhe Kupën e Italisë. Nga ajo kohë klubi italian nuk ka parë hair, edhe pse i provoi katër trajnerë, duke filluar nga Leonardo, pastaj Benitez, për të vazhduar me Gasperinin dhe së fundmi me Ranierin.
Por, ekipi italian dështoi totalisht në dy sezonet e fundit, sidomos në këtë aktual. Për këtë ish trajneri i Portos dhe i Chelseas nuk e ka përjashtuar mundësinë të rikthehet në Giuseppe Meazza.
Interi është shtëpia ime. Një ditë mund të kthehem atje. Një rikthim në shtëpi është gjithmonë i mundshëm. Sezoni ynë fantastik ndoshta ka peshuar, ka thënë fillimisht Mourinho në konferencë për shtyp pas fitores bindëse 3:0 ndaj APOEL-it. - Jam një tifoz dhe si tifozët tjerë, jam i trishtuar. Por, shpresoj që sezoni tjetër të jetë më i mirë, vazhdoi 49 vjeçari.
Mou nuk mendon se cikli i Interit ka marrë fund. Madje, ai është i bindur se lojtarët aktualë Nerazzurrë mund të kenë sezon të suksesshëm vitin që vjen.
Ndoshta lojtarët e njëjtë të këtij viti mund tu kthehen fitoreve vitin e ardhshëm. Ne kishim një sezon të papërsëritshëm, fantastik dhe për trajnerët e rinj dhe lojtarët kjo ka mundur të ndikojë, shpjegoi ai.
Mourinhos i vjen keq për Claudio Ranierin, pasi besonte se me të rezultatet do të arrinin më në fund. Ai foli edhe për trajnerin e ri interist Andrea Stramaccioni, i cili e zëvendësoi ish trajnerin e Chelseas, të Romës dhe të Juventusit.
Si interist dëshiroj të ketë punë të mbarë. Më vjen keq për Ranierin, por futbolli është kështu. Ndërsa trajnerit të ri i uroj që ti ecën mirë, përfundoi Mourinho i cili e përshëndeti me përzemërsi vëllanë e tij Marco Materazzi, me të cilin kishte punuar bashkë në kohën sa e udhëhiqte Interin.