Mourinho në PSG, Wenger drejt Madridit
Paris, 17 dhjetor - Jose Mourinho te PSG-ja, sa vjen e bëhet më e besueshme. Në fakt, e përjavshmja franceze Le 10 sport bën me dije se nuk janë vetëm zëra, porse ka pasur edhe kontakte zyrtare.
Mësohet se menaxheri i portugezit, Jorge Mendes është takuar të paktën pesë herë me pronarin e klubit parisien, sheikun Al-Thani.
Madje, pas disa takimeve mes tyre është realizuar edhe një takim me vetë kreun e stolit të Realit.
Kjo ka ndodhur në nëntor të këtij viti dhe mendohet të jetë bërë një bisedë konkrete mbi shanset që Mourinho të marrë drejtimin e francezëve dhe kur do ndodhë një gjë e tillë.
Mourinho ka shfaqur në disa raste pakënaqësi për situatën nëpër të cilën po kalon në Madrid dhe me shumë gjasa ky do të jetë sezoni i tij i fundit në kryeqytetin spanjoll.
Sheiku Al- Thani nuk është plotësisht i kënaqur me punën e bërë nga Carlo Ancceloti, ndërkohë që Special One ka qenë gjithnjë i preferuari i tij.
Burime të afërta me pronarin e PSG-së bëjnë të ditur se ardhja e Mourinhos do e rriste akoma më shumë imazhin e klubit, pa llogaritur edhe faktin që ekipi do të ishte një prej pretendentëve për të triumfuar në Champions.
Duke dëgjuar e shikuar mundësitë e largimit të Mout, as Reali nuk po rri duarkryq. Presidenti Florentino Perez po mundohet të studiojë me kujdes kandidatët, por përflitet se ai e ka bërë zgjedhjen e tij.
Bëhet fjalë për teknikun e Arsenalit, Arsene Wenger. Pas shumë viteve në krye të topçinjve, duket se ka ardhur fundi edhe për aventurën e francezit.
Kohët e fundit është përfolur edhe për dy përplasje të tij, e para me aksionarët e klubit për buxhetin e ulët në blerjet e lojtarëve dhe më pas me zëvendësin e tij.
Një klimë tepër e tensionuar, ndërkohë që Wenger do e mirëpriste mundësinë për të drejtuar një klub si madrilenët, ku përpos cilësisë së lojtarëve, ka mundësinë edhe të afrojë thuajse cilindo futbollist që dëshiron, ndryshe nga pozitat që ka në Arsenal.
Për momentin, si Mourinho ashtu edhe Wenger pritet ti kalojnë pa zhurmë problemet e tyre në klubet respektive, por lëvizjet përfundimtare pritet të mësohen para përfundimit të edicionit 2012/2013.