Mourinho kthehet në Itali
Romë, 4 maj - Jose Mourinho kthehet në Itali 11 vite pasi fitoi gjithçka me skuadrën e Interit, këtë herë për të drejtuar rivalët më të fortë të zikaltërve në atë kohë, kryeqytetasit e Romës.
Vetëm pak orë pasi njoftoi se nuk do të rinovojë kontratën me Paulo Fonsecën, klubi verdhekuq dha edhe lajmin se në pankinë do të ulet një tjetër portugez, pikërisht “the special one”.
“Klubi i Romës ka kënaqësinë t’u njoftojë se trajneri i parë e skuadrës, duke nisur nga sezonit 2021-2022, do të jetë pikërisht Jose Mourinho”, shkruan verdhekuqtë në Twitter, por pa zbuluar detaje të tjera mbi marrëveshjen.
Tekniku portugez ishte prej më shumë se një sezoni në pankinën e Tottenhamit, ku u shkarkua më 19 prill të këtij viti, pas disa rezultateve negative, ndërsa dy ditë më parë pati paralajmëruar një rikthim në Itali, duke konfirmuar se nuk do të mendohej dy herë për të drejtuar një rivale të Interit.
Shumë atëherë menduan se portugezi mund të ishte në negociata me Juventusin, por duket se Roma ka punuar në heshtje me drejtorin teknik Tiago Pinto, që ka bindur Mourinhon të ulet në pankinën zikaltër.
Kujtojmë që gjatë dy sezoneve kur Mourinho drejtoi Interin në Serinë A, rivali kryesor i zikaltërve në kampionat e Kupë Italie ishte pikërisht skuadra e Romës, që tani do të ketë në pankinën e saj portugezin.
Ulja në stol e një emri si Jose Mourinho konfirmon dëshirën e pronarëve të klubit verdhekuq për të “ngritur stekën” dhe për të garuar për objektiva madhorë në kampionat dhe Europë.