Mourinho: E urrej jetën time private
Madrid, 2 tetor - Jose Mourinho ka krijuar imazhin e një strategu në fushë, e një koloneli të hekurt që ka gjithmonë situatën në kontroll por jashtë fushe pak kush e njeh kush është Mourinho i vërtetë.
Trajneri i Real Madrid është rrëfyer në një intervistë ekskluzive për rrjetin CNN, e cila do të transmetohet më datë 5 tetor, për jetën e tij larg futbollit, për rolin e tij si prind dhe marrëdhëniet shoqërore.
\"Unë e urrej jetën time shoqërore. E urrej faktin që nuk jam një baba normal dhe që nuk arrij të ndjek qetësisht ndeshjet e futbollit të tim biri ashtu sic bëjnë baballarët e tjerë. Kur jam i pranishëm, njerëzit kërkojnë autografe apo të bëjnë foto me mua ose në ndonjë rast dhe më ofendojnë\", është shprehur Special One.
Portugezi gjithashtu zbulon se njerëzit dinë shumë pak për të, pasi njohin vetëm njeriun e sportit: \"Të gjithë më njohin si trajner, më njohin për atë që unë bëj gjatë 90 minutave. Unë përpiqem t\'ia kaloj gjithmonë mirë në stol, sepse kjo është detyra ime, puna ime.\"
\"Çdo ndeshje e jetoj sikur të jetë e fundit e karrierës sime. Dhe kjo është ajo që njerëzit përgjithësisht shikojnë dhe mësojnë për mua. Konferencat për shtyp unë i konsideroj si një pjesë të ndeshjes, si një takim që duhet luajtur. Njerëzit nuk më njohin si një mik, si një njeri të familjes, apo personin që unë jam brenda dhomave të zhveshjes\", ka rrëfyer Mourinho.
Murinjo gjithashtu nuk i kursen lëvdatat as për Alex Ferguson dhe për skuadrën atij aktuale të Real Madrid: \"Fergusonin e quaj \"Shef\" sepse ai është shefi i të gjithë trajnerëve dhe kur të kthehem një ditë në Angli shpresoj që ai të jetë ende nën drejtim. Megjithatë për momentin unë kam një kontratë katër vjeçare me Realin dhe rinovova me këtë klub sepse dua të qëndroj këtu, në klubin më të mirë të botës për momentin. Por kur të largohem për shumë arsye që i di vetëm unë dua të kthehem në Angli\", përfundoi Jose Mourinho.
Dhe ku i dihet pse jo te Chelsea, apo te Manchester United nëse Ferguson do të ishte i gatshëm ta zgjidhte si pasardhësin në stolin e \"Djajve të Kuq\".