Moratti konfirmon Stramaccioni-n
Milano, 22 prill - Fitorja e arritur me shumë mund ndaj Parmës i ka rikthyer buzëqeshjen presidentit të Interit, Massimo Moratti.
Për mediat sportive italiane, Moratti deklaroi: Të dielën skuadra luajti me ekuilibër dhe krenari, por shpesh kritikat ndaj nesh janë të tepruara. Duhet të kemi parasysh se po luajmë me një mal me dëmtime.
Tifozët e Interit kanë kritikuar gjatë ndeshjes së fituar 1-0 drejtorin teknik Marco Branca sepse sipas tyre tek zikaltërit mungon projekti për të ardhmen.
Moratti përgjigjet: I respektoj mendimet e të tjerëve, por nga jashtë nuk njihen situatat dhe jepen gjykime të prera. Po mendojmë për sezonin e ardhshëm, por është e vështirë kur ke kaq shumë dëmtime.
Duke mbetur tek sezoni i ardhshëm, Moratti përsërit atë që ka thënë edhe më parë: Stramaccioni do të jetë sërish trajneri i Interit sezonin e ardhshëm.