29 Maj 2023

MM nënshkruan Memorandum me MKRS-në dhe Federatën e Xhudos

Prishtinë, 29 mars - Ministria e Mbrojtjes (MM), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Federata e Xhudos, kanë nënshkruar sot Memorandum Bashkëpunimi, me ç’rast jetësohet koncepti i  integrimit të arteve marciale në programet e përhershme trajnuese dhe arsimore në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ky koncept, që është në linjë me programin ‘’Kosova, shtet i xhudos’’ do të fillojë së zbatuari gjatë këtij viti, si pjesë e trajnimeve formale të nivelit bazik.

Me këtë rast, Ministri Mehaj theksoi se përmes këtij programi, përveç investimit në përgatitjen e oficerëve dhe ushtarëve, po vlerësohet edhe profesionalizmi i xhudistëve tanë, duke i angazhuar në institucionet tona të sigurisë.

Qëllimi i këtij koncepti është në ngritjen e kapaciteteve profesionale të FSK-së, ashtu që në kuadër të investimit në arsimimin dhe trajnimin e ushtarëve në fushën operacionale, përmes angazhimit të xhudistëve tashmë të mirënjohur ndërkombëtarisht, të aftësohen ushtarakët tanë edhe në aplikimin e arteve marciale, si metodë për vetëmbrojtje, neutralizim të kundërshtarit, por dhe nxitje të shpirtit garues ndërmjet ushtarëve.

Përmes këtij programi ambicioz, synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të marrë pjesë në garat botërore multi-disiplinare të Këshillit Ndërkombëtar të Sporteve Ushtarake. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 maj 2023

- Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën Viola Von Cramon - Taubadel do të mbajë një konferencë për shtyp. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë përballë Zyrës së BE-së, ora 11:30)
 
- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:30)

- Koncerti i radhës, bashkëpunim i Chopin PianoFEST Prishtina me Filharmonine e Kosovës, sjell në skenë 2 artistë të shquar  nga Mbreteria e Bashkuar Peter Donohoe, doajenin e pianos dhe dirigjentin Robert Guy, për të performuar së bashku me Filharmoninë e Kosovës Koncertin nr.3 të S. Rachmaninof, me rastin e 150 vjetorit të këtij kompozitori gjenial të epokës së romantizmit. (KlanArena, ora 20:00)