MKRS vazhdon përkrahjen për federatat e sportit
Prishtinë, 3 maj - Në vazhdën e përkrahjes për federatat e sportit të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar sot disa memorandume të bashkëpunimit me Federatën e Aeronautikës, Federatën Bjeshkatare Alpiniste, Federatën e Shigjetarisë, Federatën e Sporteve për të Verbër, Federatën e Skijimit dhe Federatën e Shahut.
Vlera e përgjithshme e përkrahjes për këto federata është 265 mijë euro.
MKRS-ja nëpërmjet këtyre memorandumeve, përkrah programet e federatave dhe krijon lehtësira që ato të mund të planifikojnë dhe funksionojnë në mënyrë sa më të pavarur, dhe kështu të avancojnë sportin e Kosovës.
Me këtë rast ministri Shala përgëzoi drejtuesit e federative për punën që po bëjnë për zhvillimin e sportit të Kosovës dhe u shpreh se MKRS-ja po punon në disa plane për të ndihmuar sportin e Kosovës, si në infrastrukturë, me legjislacion modern dhe me subvencionime, në mënyrë që sporti i Kosovës të avancohet edhe më tutje, dhe të prezantohet sa më dinjitetshëm në arenën ndërkombëtare.