MKRS ndan shpërblimin prej 10 mijë euro për sportisten Gentiana Beqa
Prishtinë, 19 mars - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, në një ceremoni të organizuar, ka bërë ndarjen e shpërblimeve për sportisten Gentiana Beqa dhe trajnerin e saj Elvin Beqa.
Sportistja Gentiana Beqa ka pranuar shpërblimin dhe çekun prej 10 mijë euro, ndërkaq trajneri i saj morri 5 mijë euro, në bazë të rregullores për rezultate kulmore në sport. Beqa në Kampionatin e Botëror të Bodybuildingut dhe Fitnesit, mbajtur në Biarritz të Francës, ka fituar Medaljen e Artë.
Me këtë rast, ministri Gashi uroi Beqën për suksesin e arritur dhe premtoi se do t’i mbështesë të gjithë sportistët që i sjellin çmime dhe rezultate të mira Kosovës.
“Ju uroj për çmimin. Ministria do të ju përkrah në të gjitha fazat. Do t’i mbështesë të gjithë sportet dhe sportistët që arrijnë rezultate”, është shprehur ministri Gashi me këtë rast, duke shtuar se MKRS-ja po angazhohet që të plotësojë dhe mbështetë sportin si në infrastrukturë ligjore ashtu edhe atë fizike.
“Ministria ka nënshkruar një rregullore e cila kategorizon sportet. Çmimi që e merrni sot është vlerësim nga ana jonë, të njëjtin do ta merrni edhe në të ardhmen. Lajmet më të mira janë ato për fitimin e medaljeve”, ka thënë ministri.
Sportistja Beqa tha se ndjehet e lumtur që po vlerësohet për suksesin e arritur. Tha se rruga e saj deri te ky sukses ka qenë e gjatë dhe me shumë sakrifica. Ajo u shpreh se këtë vit do t’i fitojë të gjitha trofetë.
“Ka qenë rrugë e gjatë dhe u shpërblye. Ka edhe një ftese, Spanja nuk na njeh dhe e kam një ftesë speciale nga Madridi ku më ftojnë në prill, e kam sjellë si lloj dëshmie. Synoj që të jem edhe në 2018 dhe ti rrëmbejë të gjitha trofetë”, është shprehur ndër të tjera Gentiana Beqa.