23 Dhjetor 2024

MKRS mbështetë financiarisht Komitetin Olimpik

Prishtinë, 3 prill - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot Komitetin Olimpik të Kosovës ku u prit nga presidenti Besim Hasani.

Me rastin e kësaj vizite, mes MKRS-së dhe KOK-ut u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi. Ky memorandum u nënshkrua me qëllim të mbështetjes financiare të KOK-ut me 300 mijë euro për realizimin e objektivave të veta për vitin 2019.

Ministri Gashi tha se mbështetja e tij për sportin në vend nuk do të ndalet dhe këtë po e dëshmon realizimi i shumë objektivave të Ministrisë për avancimin e sportit në vend. Ai tha se prezenca e tij në KOK sot, nuk është vetëm për të nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit për vitin 2019 por edhe për të rikonfirmuar mbështetjen për Komitetin dhe për të gjitha organizatat sportive që janë pjesë e Komitetit Olimpik të Kosovës.

“Komiteti Olimpik i Kosovës është ombrellë e sporteve në Kosovë dhe ne jemi shumë të lumtur që e kemi një lidership shumë të përgatitur po ashtu edhe shumë punëtorë të cilët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për vitin e kaluar”, tha ministri Gashi.
 
Ai tha se gjatë takimit janë dakorduar për shtyrjen përpara të ligjit të ri për sport sepse ligji aktual nuk përkon me kërkesat dhe nevojat e kohës.

“Kohëve të fundit ka zhvillime të hovshme në sport andaj na duhet një ligj i cili edhe më tutje e favorizon sportin në Kosovë. Jemi duke punuar me intensitet të madh edhe me strategjinë e sportit që po ashtu është një dokument i rëndësishëm për sportin në Kosovë”, u shpreh ministri Gashi.

Ministri njoftoi edhe për marrjen e vendimit që në objektin ku operon KOK-u ta shfrytëzojë edhe një kat tjetër me qëllim të krijimit të një hapësire më të madhe për zhvillimin e aktiviteteve.
 
Ministri Gashi po ashtu njoftoi se për shkak të sukseseve të njëpasnjëshme të xhudistëve, është vendosur që të mos pritet edhe më tutje për ndarjen e parcelës nga ana Komunës së Pejës për ndërtimin e objektit të xhudos, por bashkë me Federatën e Xhudos të shikohen alternativa tjera për ndërtimin e objektit.

“Jemi dakorduar që pritjeve të Komunës së Pejës për ndarjen e parcelës për objektin e xhudos t’u vije fundi sepse edhe vitin e kaluar edhe këtë vit kemi ndarë mjete financiare dhe nuk po arrijmë të fillojmë ndërtimin e këtij objekti”, theksoi Gashi.

Ndërsa, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, falënderoi ministrin Gashi për përkrahjen e tij dhënë Komitetit Olimpik të Kosovës dhe sportistëve në përgjithësi.
 
Për nënshkrimin e memorandumit, kryetari Hasani tha: “Kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme për ne sepse realizimi i planeve dhe objektivave strategjike donë edhe mbështetje financiare”.
 
Ai premtoi se KOK-u do të angazhohet maksimalisht për arritjen e të gjitha objektivave strategjike.

“Përtej memorandumit me ministrin biseduam edhe për çështje tjera që e preokupojnë jo vetëm KOK-un por tërë lëvizjen olimpike, federatat, klubet dhe sportistët që kanë të bëjnë me Ligjin për Sponsorizime. Sportistët dhe drejtuesit e sportit janë shumë të angazhuar në arritjen e objektivave të tyre në mënyrë që ta përfaqësojnë shtetin në mënyrë të dinjitetshme. Por edhe nevoja për përfshirje më të madhe të njerëzve në sport është me rëndësi të jashtëzakonshme kështu që krejt këtë proces do e ndihmojë shumë nënshkrimi i Ligjit. Ftoj deputetët në mbështetje të sportit”, tha Hasani.

“Biseduam edhe për nevojën që edhe Ligji për Sport të harmonizohet me zhvillimet që po ndodhin në lëvizjen olimpike botërore por edhe në sportin në përgjithësi dhe në këtë drejtim jemi në një drejtim me ministrin dhe bashkëpunëtorët e tij”, përfundoi Hasani.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)