MKRS-ja ndan bursa për shpresat olimpike në vlerën totale prej 18 mijë euro
Prishtinë, 14 mars - Në kuadër të përkrahjes së drejtpërdrejtë të talentëve dhe shpresave të sportit në Kosovë, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar vendimet për dhjetë përfituesit e bursave për Shpresat Olimpike dhe Paraolimpike të Kosovës.
Vendimi për ndarjen e këtyre bursave është marrë pas propozimit nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe federatat respektive.
Bursa në vlerë monetare prej 150€ në muaj në një periudhë një vjeçare nga janari 2018, do t’u ndahet sportistëve: Shpat Zeka (xhudo), Laura Fazliu (Xhudo), Drenis Mala (Shigjetari), Kreshnik Mahmuti (Ping-Pong), Leart Osmanaj (Atletikë), Faton Shurdhaj (Skijim), Erdonis Maliqi (Boks), Shpejtim Bojku (Boks), Drilon Syla (Mundje) dhe Yll Cenaj (Karate).
Ministri Gashi u shpreh se kjo përkrahje financiare në baza mujore për këta sportistë të rinj është një dëshmi se Ministria përkrah talentet e reja në sport dhe e konsideron si një nxitje për sportistët që ata të përgatiten edhe më shumë në prezantim sa më cilësor në gara dhe korrje të rezultateve.
“Me kënaqësinë më të madhe nënshkrova sot vendimet të cilat hapin rrugën e përfitimit të bursës për dhjetë Shpresat Olimpike dhe Paraolimpike të propozuara nga KOK-u dhe federatat përkatëse."
"Është kjo një mbështetje direkte financiare nga ana e ministrisë për sportistët në fjalë në mënyrë që ata të përgatiten dhe të avancohen në sportet me të cilët merren. Konsideroj se me sigurimin e këtyre bursave këta sportist fokusin do ta kenë tek prezantimi sa më i mirë dhe korrja e rezultateve gjatë pjesëmarrjes nëpër gara qofshin ato brenda apo jashtë Kosovës”, tha ministri.
Kjo mbështetje e drejtpërdrejtë për sportistë që kanë treguar rezultate kulmore dhe kanë plotësuar standardet sipas Rregullores nr. 03/2013 për Ndarjen e Bursave për Shpresa Olimpike dhe Paraolimpike do të realizohet në baza mujore.